Misionari i Paqes, Bajrush Shaqiri, tani, së fundmi, mori edhe medaljen e artë “Aktivist i shkëlqyer i Njerëzimit”. Bajrushi, djalë i thjeshtë e i përulur i Kosovës, vjen nga fshati Terpez i Komunës së Vitisë. Ai është diplomuar në fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, në Universitetin e Prishtinës.
Bajrushi Shaqiri, vite të tëra profesor, iu përkushtua arsimit dhe edukimit të gjeneratave të reja, në disa shkolla të Kosovës.
Bajrushit, si pasojë e presionit të vazhdueshëm të regjimit të asaj kohe në Jugosllavinë e dikurshme, pjesë e së cilës ishte edhe Kosova, si shumë të rinj, iu desh të merrte rrugën e kurbetit për të shpëtuar familjen, por edhe me bindjen se nga Zvicra ku do shpërngulej do t’i kontribuonte më shumë vendlindjes.
Dhe koha e vërtetoi këtë, Bajrushi u bë një nga shtyllat e emigracionit në mbështetje të vendit të tij, Kosovës.
Ishte viti 1983, kur profesor Bajrushi do të pezullohej nga detyra e mësimdhënësit, për qëllime politike nga regjimi serb, dhe u detyrua ta braktiste vendin për t’u vendosur ne Gjenevë.Ai, në vitet e para në Zvicër, edhe pse emigrant, u agazhua menjëherë në arsim, si mësimdhënës në shkollat shqipe të Gjenevës.Bajrushi, njëkohësisht, ishte edhe pjesë e Kryesisë së LAPSH “Naim Frashëri” në Kantonin e Gjenevës.
Bajrush Shaqiri, nga Gjeneva, më shumë se gjysmën e jetës së tij, ia përkushtoi arsimit dhe humanizmit dhe sot ai është shembull i integrimit dhe i sukseseve në Komunitetin Shqiptar në Zvicër.
Në një nga gazetat e kohës, Bajrushi kujton:
“Në aeroportin e Gjenevës u takuam me katër anëtarët e sindikatave zvicerane (SIT)… Dhe më 10 maj të vititi 1999, në baza vullentare, pa hezitim shkova në Shkup për të ndihmuar, për t’i tërhequr nga kampi refugjatët shqiptarë të dëbuar nga Kosova që jetonin në kushte tejet të vështira, edhe për bukë”, – rrëfen për “drini.us” humanisti dhe veprimtari i çështjes kombëtare Bajrush Shaqiri.
Përpjekjet e Bajrush Shaqirit, bashkë me sindikalistët zviceranë, ia arritën qëllimit, dhe, më 20 maj 1999, pasdite, e mbushën aeroplanin me 147 refugjatë në drejtim të Gjenevës. Për këtë mision humanitar të Bajrush Shaqirit dhe përfaqësuesve të Sindikatës SIT kishte shkruar asaj kohe edhe gazeta zvicerane “Tribune de Geneve” (17 maj 99), që më pas u shkrua edhe një libër “Le vol impossible: Saga d’un charter kosovar”, nga autori Michel Buhrer.
Profesor Bajrush Shaqiri nuk do të mjaftohej kurrë vetëm me punën dhe përkushtimin ndaj familjes, fisit dhe të afërmve të tij, ai padyshim vazhdon rrugën e tij të bamirësisë, bashkë me miq e patriotë të tjerë të diasporës, duke kontribuar në të holla për ndërtimin e shumë shtëpive në Komunën e Vitisë, në Kosovë, por edhe duke siguruar bursa studimi për fëmijët e familjeve në nevojë, nga Kosova e mbarë trojet shqiptare.
I vlerësuar si Misionar Paqeje dhe Aktivist i Shquar i Njerëzimit nga Misioni Diplomatik për Paqe e Prosperitet, profesori i përjetshëm është shumë modest dhe nuk i pëlqen të flasë për bamirësitë e tij.
Megjithatë, veprimtaria humanitare e Bajrush Shaqirit flet vetë dhe është gdhendur tashmë me gërma të arta në shërbim të paqes dhe prosperitetit.
Dr. Dylbere Dika